Pak ditë më parë, televizioni News 24 transmetoi një reportazh nga gazetarja Klodiana Lala ku hidhej drite mbi një skemë të dyshuar korruptive që përfshin dy drejtorët e Bashkisë Tiranë. Maringlen Qato dhe Redi Molla tashmë të arrestuar nga SPAK me akuzën për korrupsion dhe përfitim në konflikt interesi të 45 tenderave me vlerë 30 milionë euro në favor të kompanisë së tyre “5D Konstruksion” duke shfrytëzuar postet publike.
Ndër të tjera, Qato ka qenë në krye të Inspektoriatit të Mbrotjes së Territorit, inspektoriat që ka për detyrë të ruajë territorin dhe ndërtimet e paligjshme por që shërben edhe si organ i Bashkisë Tiranë për të prishur ndërtimet pa leje apo ato që kanë probleme teknike të konstruksionit. Ka qenë pikërisht ky një nga institucionet që pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 kanë klasifikuar si të pabanueshme disa ndërtesa në Tiranë, si në rastin e pallatit në rr. “Myslym Keta”, ku pak ditë para ndërrimit të viteve në fund të 2022 banorët u dëbuan me forcë nga banesat e tyre, apo si rasti i pallateve të zonës së Kombinatit e shumë të tjerë.
Megjithatë, ky skandal është paralajmëruar tre vjet më parë nga Edmond Çata, Kryetari i Asamblesë së banorëve të Kombinatit. Z. Çata ishte ndër të parët që pikasi praktikën abuzive me prishjen e pallateve, dhe për të mbrojtur interesat e banorëve që u rrezikohej ndoshta edhe pasuria e vetme që kishin, prona, ishte ndër nismëtarët e themelimit të “Grupimit për Kombinatin”. Ai thotë se misioni është informimi dhe sqarimi për banorët dhe bizneset e prekur nga tërmeti, pallatet e të cilëve pritet të merret një vendim, ose është marrë vendimi nga Bashkia Tiranë për shembje. Por, përveç organizimeve të protestave, daljeve mediatike dhe aktivizimit në rrjete sociale për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të bashkuar komunitetin, Z. Çata vendosi të ndjekë edhe rrugën ligjore duke iu drejtuar avokatëve të qendrës “Res Publica” në vitin 2021.
Vështirësia më e madhe në këto raste, siç e përjetoi edhe vetë Z. Çata në bisedat me banorët e prekur, shpeshherë qëndron tek mposhtja e miteve. Për fat të keq, historia tregon se populli ynë shpeshherë është ushqyer me idenë se me pushtetin nuk “hahesh” dot, se është e kotë t’i hysh një beteje ligjore kur pushteti e ka drejtësinë në “xhep”, se janë para të hedhura kot për avokatë e gjyqe pa mbarim, etj. Ndërkohë, sa më shumë avancohej në çështjen e demolimit të planifikuar të pallateve në Kombinat, u bë e qartë se e njëjta skemë abuzimi qëndronte edhe për raste të tjera në Tiranë, ku pas çdo pallati të shpallur nga bashkia për t’u shkatërruar përmes manipulimimit të ekspertizave, kishte dyshime se qëndronin interesa private kundër interesave të banorëve apo interesit publik.
Aktet e ekspertimit, bashkë me oponencat teknike të Institutit të Ndërtimit ku janë bazuar vendimet e Këshillit Bashkiak, nuk pasqyronin realitetin. Kjo e konstatuar nga aktet e ekspertizave private të paraqitura nga vetë banorët dhe të prezantuara para gjykatës, sio dhe të konfirmuara nga ekspertët e caktuar nga vetë gjykata në cdo rast. Sipas këtyre ekspertizave të trajtuara në gjykatë, vlerat e riparimit ishin shumë më të ulëta në realitet. Dëmtimet reale ishin zakonisht të dorës së dytë, më së shumti dëmtime të suvasë. Madje, në aktin e ekspertimit të njërit nga pallatet në Kombinat është paraqitur vetëm sa gjysma e sipërfaqes reale, me qëllim për të nxjerrë një kosto të ulët rindërtimi që të justifikohet shembja e tij. Në raste të tjera, akti i ekspertimit i paraqitur nga Instituti i Ndërtimit nxirrte si vlerë për riparimin 72% të vlerës së rindërtimit, ndërkohë ekspertizat në gjyq e llogarisnin këtë vlerë në masën 9%. (Akti Normativ nr 9/2019 përcakton se nëse vlera e riparimit kalon vlerën 70% të rindërtimit, vetëm atëherë pallati duhet të shembet.) Mbi këtë logjikë është vendosur shkatërrimi i ndërtesave dhe pallateve në Kombinat dhe në zona të tjera të Tiranës.
Të gjitha shkeljet e paraqitura gjatë proceseve gjyqësore u evidentuan nga gjykata, e cila në secilin nga vendimet vuri në dukje se ekspertizat e paraqitura nga bashkia përmbanin fakte të rreme, pra pallatet nuk kishin dëmtime të tilla aq sa për t’u demoluar.
Për të sinjalizuar këto shkelje ligjore sistematike në praktikën e prishjes së pallateve në Bashkinë Tiranë, Res Publica dhe Grupimi për Kombinatin i dërguan një kërkesë Kontrollit të Lartë të Shtetit në janar 2023. Letrën e hapur drejtuar KLSH mund ta lexoni në këtë link. Në shkurt 2024, pra pas një viti, erdhi përgjigjja nga KLSH se ky institucion do të ndërmerrte një auditim në Bashkinë e Tiranës dhe se të interesuarit do të njoftoheshin me rezultatet sipas Raportit Përfundimtar të Auditimit.
Pavarësisht vonesave të zakonshme, përvoja e Grupimit për Kombinatin mbrojtur nga avokatët e Res Publica tregon se ndjekja e rrugës ligjore rezulton e suksesshme kur ekziston vullneti i qytetarëve dhe një sistem drejtësie që vendos interesat publike mbi ato vetjake. Deri tani, gjykata ka ndaluar veprimet për prishjen e një sërë pallatesh në zonën e Kombinatit. Sipas Edmond Çatës, shumë nga banorët që kanë vendosur të mos ndjekin rrugën ligjore, tashmë i kanë humbur banesat e tyre dhe janë penduar që nuk e kanë bërë më parë, ndërkohë që kanë humbur shumë afate të rëndësishme ligjore. Ata që kanë luftuar me këmbëngulje mund ta quajnë një fitore jo vetëm të mbrojtjes së pronës së tyre, por edhe të mposhtjes së një mendësie frenuese që e zvogëlon qytetarin përpara pushtetit.
Është e domosdoshme që të kihet një minimumum besimi te aftësia e sistemit gjyqësor për të frenuar dhe dënuar administratën e korruptuar, ku nuk flitet për një zyrtar të vetëm por për institucione, në këtë rast Bashkia Tiranë, Këshilli Bashkiak dhe Instituti i Ndërtimit. Këtu gjejmë rastin për të falenderuar ata gjyqtarë që i dhanë emër të mirë gjyqësorit, si: Gentian Hamiti, Semiramis Hoxholli, Selvie Gjoçaj, Nafije Hasko dhe Ramiz Lala, që patën integritetin e duhur për të mos u bërë palë me praktikat abuzive të administrates dhe morën vendime në bazë të fakteve e në të mirë të interesit publik. Falë integritetit të tyre, zinxhiri i shkeljeve u ndërpre për ato raste ku njerëzit besuan tek drejtësia. Deri tani, banorët e Kombinatit numërojnë 9 çështje të fituara me mbrotjen e avokatëve të qendrës “Res Publica”, dhe asnjë të humbur.
Res Publica