Komiteti i të Drejtave të Njeriut në OKB refuzoi kërkesën nga Kreu i SPAK, Altin Dumani, për të hequr masat e përkohshme për pezullimin e aksesit dhe përpunimit të materialeve të sekuestruara nga SPAK prej gazetarit Elton Qyn.
Gjithashtu, i kërkoi shtetit shqiptar që të mos kryejë asnjë lloj ndërhyrjeje tek materiali i sekuestruar që nuk ka lidhje me çështjen në hetim, si dhe të caktojë një procedurë për të mbrojtur konfidencialitetin e burimeve të informacionit pa lidhje me çështjen në hetim, ndërkohë që ajo po shqyrtohet nga OKB.
Kujtojmë se SPAK shpërfilli vendimin e Gjykatës së Strasburgut dhe vendimin unifikues të Gjykatës së Lartë dhe ndërhyri në mënyrë brutale në trajtimin e burimeve konfidenciale dhe sekuestrimin e mjeteve të punës të gazetarit Elton Qyno. Pasi gazetari ishte duke hetuar një çështje që përkonte me dosjet e SPAK dhe nisi të publikonte të dhëna mbi këtë, me kërkesën e SPAK gjykata mori vendimin që gazetarit t’i bëhej kontroll fizik, kontroll banese dhe t’i sekuestroheshin të dhënat kompjuterike në shtëpi dhe në punë.
Avokatët e qendrës Res Publica, falë mbështetjes nga National Endowment for Democracy, e adresuan çështjen me urgjencë te Komiteti për të Drejtat e Njeriut në OKB, i cili reagoi shpejt dhe pozitivisht duke bërë të mundur që SPAK të mos ndërhynte tek materialet e sekuestruara derisa çështja të shqyrtohej nga vetë OKB.
Kjo e bëri kreun e SPAK, Altin Dumani, t’i dërgonte një kërkesë OKB, ndër të tjera duke dhënë informacione të pavërteta se gazetari Qyno kishte publikuar të dhëna nga dosja e hetimit pasi ishte urdhëruar nga prokuroria e posaçme për të mos e bërë këtë, apo që gazetarit Qyno i janë kthyer shumica e materialeve, ndërkohë që këto fakte nuk rezultojnë të vërteta.
Ndërkohë, Gjykata e Lartë nuk ka zbardhur ende vendimin e dt. 20 shkurt 2024 që legjitimoi veprimet e SPAK, duke mos argumentuar arsyet përse nuk e ka pranuar ankesën e qazetarit Qyno. Ndryshe nga qëndrimi i OKB, institucionet e vendit jo vetëm nuk i zbatojnë standardet ndërkombëtare, por edhe pengojnë vendosjen e drejtësisë.
Më poshtë mund të lexoni komunikimin nga Komiteti i të Drejtave të Njeriut në OKB drejtuar avokatit Dorian Matlija.