Edhe këtë vit Res Publica, me mbështetjen e pakursyer të National Endowment for Democracy, ka monitoruar zhvillimet në këtë fushë duke vijuar me testimin e efektivitetit të ligjit, me fokus të veçantë në kërkimin e informacionit me sensitivitet të lartë, aty ku perceptohet se ka më shumë dobësi, të cilat përbëjnë shteg për zyrtarët që refuzojnë të japin informacionin e kërkuar. Aktiviteti kryesor gjatë këtij viti ka qenë miratimi i disa ndryshimeve ligjore në ligjin nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, që erdhi pas një procesi konsultimi dhe hyri në fuqi në 4 nëntor 2023.
Raportin e plotë mund ta shkarkoni duke klikuar këtu.
Në këtë raport trajtohen edhe çështje të tjera veçanta, si tarifat e marrjes së informacionit, vështirësitë në ekzekutimin e vendimeve gjyqësore, anonimizimi i vendimeve gjyqësore, si dhe veprimtaria e Agjencisë për Media dhe Informacion, e krijuar në vitin 2021, që synon të rregullojë marrëdhëniet publike të organeve të ekzekutivit dhe ku një prej aspekteve që trajtohen është edhe informimi i gazetarëve nga autoriteteve publike dhe konfuzioni që krijohet nga mpleksja e dy rregullimeve të ndryshme.
Raporti edhe për këtë vit prezanton rezultatet që kanë dalë nga përpunimi i të dhënave të marra nga platforma Publeaks.al për vitin 2023, e cila u krijua nga Res Publica në Dhjetor 2016 për t’i ardhur në ndihmë gazetarëve, studiuesve dhe qytetarëve aktivë që dëshirojnë të informohen për çështje të ndryshme të veprimtarisë shtetërore, duke lehtësuar aksesin e tyre në informacionin publik. Një version i aplikacionit mobile është zhvilluar për lehtësuar aksesin në këtë platformë.
Konkretisht, janë mbledhur dhe janë analizuar të dhënat si më poshtë:
a. Është monitoruar “transparenca proaktive” e 100 institucioneve publike më të rëndësishëm në vend, duke vlerësuar programet e transparencës, duke vlerësuar plotësimin, përshtatjen dhe përditësimin e tyre.
b. Është monitoruar ngritja e kapaciteteve të nevojshme për të bërë të mundur funksionimin e detyrimeve të institucioneve për të përmbushur të drejtën e publikut për t’u informuar, në lidhje me caktimin e koordinatorëve dhe publikimi e përditësimi i regjistrit të kërkesave dhe përgjigjeve.
c. Është testuar dhe vlerësuar reagimi i institucioneve, duke vlerësuar përmes kritereve të matshme sjelljen e tyre ndaj kërkesave për informacion. Gjatë vitit 2023 janë dërguar 211 kërkesa për informacion dhe është monitoruar e gjithë procedura administrative përkatëse. Kërkesat kanë nisur kryesisht përmes aplikimit në faqen Publeaks.al. Disa nga treguesit kryesorë të matshëm që janë marrë në konsideratë janë: (1) Kohëzgjatja e kthimit të përgjigjes; (2) Plotësia dhe saktësia e përgjigjes; (3) Reagimi i institucioneve pas ankimit administrativ.
d. Është monitoruar veprimtaria e Komisionerit për të Drejtën e Informimit, si autoriteti i krijuar posaçërisht nga ligji për të garantuar funksionimin e tij.
e. Nga të dhënat e mbledhura nga aplikimet në Publeaks.al, janë parë me interes edhe aspekte që kanë të bëjnë me motivimin e qytetarëve për t’u informuar, të tilla si mosha e aplikantëve, arsimi, gjinia, kategoria, objekti i kërkesave, etj.
f. Raporti trajton edhe aspekte të veçanta, si konsultimi publik lidhur me projektligjin për disa ndryshime në ligjin nr 119/2014 “Për të drejtën e Informimit”; veprimtaria e Agjencisë për Media dhe Informim në drejtim të mbivendosjes së kësaj veprimtarie me organe të tjera të administatës; Anonimizimi i vendimeve të gjykatave; si dhe një vlerësim i mbështetjes ligjore të ofruar nga Res Publica në çështje gjyqësore dhe evidentimi i problematikave të mbartura nga vitet e kaluara të cilat mbeten ende të pazgjidhura.
Raporti shoqërohet me rekomandime konkrete në shërbim të rritjes së transparencës nga autoritetet publike.
Res Publica