Këshilli i Ministrave ka miratuar ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për dëmshpërblimin e familjarëve të Gërdecit.
Pas kërkesës nga avokatët e qendrës “Res Publica”, Gjykata e Strasburgut me vendimin e datës 7 nëntor 2023 urdhëroi dëmshpërblim financiar për të plagosurit dhe familjarët e viktimave me shumën prej 170 mijë eurosh.
Si detyrim i vendimit të Gjykatës së Strasburgut, Këshilli i Ministrave vendosi që të dëmshpërblehen me 12 mijë euro Zamira Durdaj dhe Feruzan Durdaj, si dhe me 10 mijë euro: Aishe Selami, Pashk Kaçi, Mirela Hazizaj, Miselda Zguri, Medi Gola, Rabie Gërdeci, Shaban Brahushi, Sabrie Picari, Dylbere Prini, Adelina Cani, Meltina Haka, Bege Aliu, Esmeralda Sefaj, Roxhens Durdaj dhe Alketa Hazizaj.
Dëshirojmë të sqarojmë që këto dëmshpërblime nuk janë për humbjet e jetës apo plagosjet, por për shkeljen e së drejtës për të marrë pjesë në procesin gjyqësor kundër ish-ministrit Fatmir Mediu në vitet 2009-2010, dhe vetëm për ata të cilët e kërkuan me shkrim dhe luftuan me insistim, gjithsej 17 persona.
Të gjithë familjarët e tjerë të prekur, janë dëmshpërblyer ose janë në proces dëmshpërblimi nga gjykata shqiptare, ndërkohë që një pjesë e familjeve të prekura janë pjesë e procesin gjyqësor që po zhvillohet me të pandehur Z. Mediu.
Vendimi i Këshillit të Ministrave është si më poshtë.
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 46, të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ratifikuar me ligjin nr.8137, datë 31.7.1996, “Për ratifikimin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 7.11.2023, për çështjen “Durdaj dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, për kërkesën nr. 63543/09 (Durdaj), nr. 46707/13 (Selami), nr. 46714/13 (Durdaj dhe Hazizaj), nr. 12720/14 (Zamira Durdaj dhe Feruzan Durdaj), përfundimtar në datën 7.2.2024, sipas shumave të përcaktuara në shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Vlerat e përcaktuara si detyrim në shtojcën 1, bashkëlidhur këtij vendimi, të konvertohen në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës, ku depozitohet shuma, në datën e kryerjes së pagesës.
3. Vlerat e përcaktuara si detyrim në shtojcën 1, bashkëlidhur këtij vendimi, të depozitohen në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të kërkuesve, sipas shtojcës 1, bashkëlidhur këtij vendimi, në vlerën që shteti shqiptar detyrohet, sipas vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 7.11.2023, “Durdaj dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, kërkesa nr.63543/09, për secilën kërkesë.
4. Pagimi i shumave të depozituara, sipas përcaktimeve në pikën 3, të këtij vendimi, në favor të të gjithë kërkuesve nr. 63543/09 (Durdaj), nr. 46707/13 (Selami), nr. 46714/13 (Durdaj dhe Hazizaj), nr. 12720/14 (Zamira Durdaj dhe Feruzan Durdaj), të bëhet nga Ministria e Financave, pas paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm ligjor për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit, brenda afatit 3-mujor nga dita kur vendimi i gjykatës është bërë përfundimtar.
5. Në rast mospagimi brenda afati 3-mujor, të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi, për shumat e përcaktuara në shtojcën 1, bashkëlidhur këtij vendimi, të paguhen interesa të thjeshtë të barabartë me kursin margjinal të huas së Bankës Qendrore Evropiane, gjatë periudhës së mospagimit, plus 3%.
6. Efektet financiare të parashikuara për ekzekutimin e këtij vendimi përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2024.
7. Ngarkohet Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.