Me t’u shpallur Drejtor i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar në qershor 2023, Alfred Peza, ish-deputet i Partisë Socialiste, nisi një valë shkarkimesh deri në nivelin e arbitraritetit në RTSH. Afro 30 persona u pushuan nga puna në një periudhë tremujore, disa prej të cilëve punonjës të vjetër të RTSH.
Ndër ta edhe Edlira Konçi, e punësuar në RTSH që prej vitit 1992. Në shtator 2023, Znj. Konçi kërkoi leje pa të drejtë page për 1 muaj, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore të bashkëshortit të saj, B.V. Kërkesa iu miratua nga vetë Z. Peza, bashkë me nënshkrimin e dy punonjësve të tjerë.
Pas kësaj, iu kërkua që të paraqiste raportet mjekësore të bashkëshortit. Për shkak të gjendjes tepër të rënduar dhe urgjencës, Znj. Konçi u largua për Itali, ku bashkëshorti i saj u shtrua në një klinikë. Ajo dërgoi me email një vërtetim për gjendjen shëndetësore nga Spitali përkatës.
Rikthimi në punë e përballi Znj. Konçi me vendimin e zgjidhjes së menjëhershme të marrëdhënies së punës, ndërkohë që bashkëshorti i saj ndërroi jetë disa ditë më vonë. Pushimi nga puna ishte totalisht jashtë normave ligjore dhe morale, duke i shkaktuar Znj. Konçi një dëm të madh psikologjik në momentet e vështira që kaloi.
Nëse do të analizojmë çështjen nga ana ligjore, sipas Kodit të Punës afati i njoftimit për pushim nga puna është tre muaj kur marrëdhënia e punësimit ka zgjatur më shumë se pesë vjet. Në rastin tonë, zgjidhja e kontratës së punës është bërë në mënyrë të menjëhershme, pa pasur asnjë shkak të justifikuar. Sipas Kodit të Punës:
“Në rast sëmundjeje të rëndë të anëtarëve të familjes, bashkëjetuesit, të paraardhësve ose të pasardhësve të tij të drejtpërdrejtë, të vërtetuar me raport mjekësor, punëmarrësi përfiton jo më shumë se 30 ditë pushimi të papaguar.”
RTSH ka zgjidhur kontratën e punës duke mos respektuar asnjë procedurë njoftimi, pavarësisht se Znj. Konçi ka pasur një kontratë pune prej 30 vitesh dhe ka qenë gjithmonë korrekte në punë. Në të njëjtën kohë me Znj. Konçi, janë pushuar nga puna një numër i madh punonjësish, duke ngritur alarmin e organizatave mediatike. Sipas Kodit të Punës, nëse në një periudhë 90 ditore pushohen nga puna mbi 20 veta, kjo konsiderohet pushim kolektiv nga puna (për ndërmarrje me mbi 200 punonjës siç është RTSH). Për këtë rast, ekziston një procedurë e veçantë, ku punëdhënësi duhet të njoftojë organizatën sindikale dhe/ose punonjësit paraprakisht për detajet e shkarkimit, si dhe të bëjë këshillime me organizatën sindikale dhe të njoftojë Ministrinë që mbulon marrëdhëniet e punës, për të shmangur ose pakësuar pushimin kolektiv nga puna dhe për të zbutur pasojat e tij. Së fundi, ministria përgjegjëse për punën i ndihmon palët të arrijnë një marrëveshje. Kjo procedurë nuk është marrë fare në konsideratë. Znj. Konçi iu drejtua avokatëve të qendrës “Res Publica”, të cilët kanë kërkuar dëmshpërblim page për vjetërsinë në punë, për zgjidhjen e kontratës në mënyrë të menjëhershme dhe të pajustifikuar, për mosrespektimin e afatit të njoftimit dhe procedurës së pushimit nga puna, për dëmin moral dhe ekzistencial, për mosrespektimin e procedurës së pushimit kolektiv nga puna, etj.
Përvec dy ish-punëmarrësve të RTSH që janë pushuar padrejtësisht nga puna, që mbrohen nga avokatë të qendrës Res Publica, mësohet që edhe punonjësit e tjerë kanë nisur tashmë procedurat gjyqësore, për atë që përbën pushimin kolektiv më masiv në RTSH. RTSH është jo vetëm një media kombëtare, por është e vetmja media publike, e cila duket se po kalon në një fazë të vështirë të trajtimit të punonjësve, duke shkuar deri në nivele ekstreme.
Res Publica