Gjykata Administrative e Tiranës pranoi kërkesën e banorëve të pallatit 183/1 në rrugën “Myslym Keta” dhe rrëzoi vendimin e Këshillit Bashkiak të datës 24 nëntor 2021 për prishjen e detyruar të ndërtesës.
Ky vendim ishte marrë nga Këshilli Bashkiak i Tiranës si rezultat i dëmtimit të pallatit nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019, bazuar mbi akt ekspertizën e Bashkisë Tiranë dhe oponencën teknike të Institutit të Ndërtimit, të cilat pretenduan se shkalla e dëmtimit të pallatit ishte e lartë dhe me kosto të larta rindërtimi.
Në nëntor 2022, banorë të pallatit kërkuan hartimin e dy akt ekspertizave nga studio projektimi private, nga të cilat rezultuan se faktet në të cilat është bazuar Vendimi i Këshillit Bashkiak ishin të pavërteta. Sipas këtij vlerësimi, shkalla e dëmtimit të pallatit nuk ishte e lartë siç pretendohej.
Ndërkohë, në shkelje të legjislacionin për strehimin mbi mënyrën se si kryhet zhvendosja e banorëve në raste të tilla (në hartimin e të cilit ka kontribuar edhe qendra “Res Publica”), banorët janë dëbuar nga shtëpitë e tyre pa asnjë lloj konsultimi përmes një njoftimi disa ditë përpara demolimit të pallatit.
Në kërkesat ndaj Gjykatës Administrative të Tiranës, avokatët e qendrës “Res Publica” i paraqitën gjykatës analizën ligjore si vijon:
- Vendimarrja për prishjen e pallatit është “e keqinformuar” në rastin më të mirë dhe në keqbesim në çdo rast tjetër, pasi është kryer pa një akt konstatimi paraprak për vlerësimin e pallatit të dëmtuar nga Instituti i Ndërtimit (kërkesë ligjore), ndërkohë që nuk ka asnjë provë që tregon dëmtime të pallatit (fotografi, etj).
- Vendimet janë marrë bazuar në fakte të rreme. Ndryshe nga sa pretendohet në to, pallati nuk është dëmtuar në shkallën DS4 por DS1 (pra shkallë e ulët dëmtimi) dhe raporti mes kostos së rindërtimit dhe kostos së riforcimit është nën kufirin 70%, kriter ligjor për vendimin e prishjes së një objekti. Gjatë këtij gjykimi, ekspertja e caktuar nga gjykata pati për detyrë të vlerësonte shkallën e dëmtimit të pallatit, dhe sipas saj dëmtimi i objektit është në nivelin DS1. I njëjti vlerësim është bërë nga 2 akt ekspertiza private të marra si prova, ku 3 ekspertë konfirmojnë se shkalla e dëmtimit të pallatit ka rezultuar po në nivelin DS1.
- Pala e paditur nuk u konsultua me banorët për vendimarrjen, madje Vendimi i Këshillit Bashkiak nuk iu njoftua banorëve nga ana e Bashkisë Tiranë dhe Këshillit Bashkiak. Një vendimarrje e tillë nga ana e Bashkisë Tiranë, ku konsultimi me banorët duhet të ishte bërë para, gjatë dhe pas vendimit për shkatërrimin e pronës, është në shkelje të ligjit për të drejtën e pronës.
Për arsyet e parashtruara, kërkesat Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë i janë paraqitur këto kërkesa:
- Shfuqizimi i Vendimit nr.154 datë 24.11.2021 të Këshillit Bashkiak të Tiranës “Për prishjen e detyruar të ndërtesës private (pallati nr.83/1 rruga “Myslym Keta”), si rezultat i dëmtimit nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019”, lidhur me njësinë në pronësi të paditësit.
- Shfuqizimi i Oponencës Teknike të akt-ekspertizës së thelluar nr. 566/3 prot. datë 26.05.2021 të Institutit të Ndërtimit, lidhur me njësinë në pronësi të paditësit.
Gjykata Administrative e Tiranës i pranoi kërkesat e avokatëve të qendrës “Res Publica”, ndërkohë që vendimi zyrtar pritet të shpallet në muajin janar.
Kjo çështje tregon edhe një herë se kur qytetarët bëhen bashkë për mbrojtjen e të drejtave të tyre kundër paligjshmërisë, dhe i adresojnë ato në rrugën e duhur, mund të fitojnë.
Res Publica