Erion Veliaj tërhiqet nga padia për shpifje ndaj gazetarit Bledian Koka dhe emisionit “Piranjat”, çështje të cilën e trumpetoi dendur edhe gjatë fushatës elektorale.
Emisioni “Piranjat” e denoncoi Kryebashkiakun për lidhjet e tij me aferën e inceneratorëve, në vijim të intervistës që gazetari Bledian Koka i mori biznesmenit Italian Gabrielle Tarroni Longhinotti.
Ndërkohë që me të përfunduar zgjedhjet, në seancën e djeshme Veliaj së bashku me avokatin e tij nuk paraqiten në gjykatë duke mos dërguar asnjë shpjegim për mungesën e tyre. Në sallë të gjyqit Veliaj dërgoi një juriste të Bashkisë së Tiranës, e cila do të ndiqte seancën për të dhënë informacion, por jo si përfaqësuese e tij në proces. Kjo bëri që gjykata të vendosë pushimin e çështjes.
Pas seancës, gazetari shprehet thotë se mungesa nga ana e Veliaj tregon qartë se kjo ka qenë një tentativë e tij për intimidimin e medias.
“Që në gjenezë, u pa se çfarë qëllimi kishte e gjithë kjo. U bë gjatë fushatës, në kulmin e fushatës, dhe sot që duhet të përballeshim, që kishim përgatitur me avokatin Dorian Matlija një strategji mbrojtjeje për një “çmenduri juridike”, pala akuzuese nuk u paraqit pa dhënë asnjë shpjegim. Duket qartë që kjo është një tërheqje, është një konfirmim i asaj që nuk ishte tjetër përveçse një tentativë e fëlliqur intimidimi dhe e pistë, nga njerëz që nuk bëjnë gjë tjetër përveç asaj që kanë bërë”.
Sipas avokatit Dorian Matlija, ligji është i qartë për sa i përket mosparaqitjes së palës paditëse, ndaj edhe Veliaj ka qenë i vetëdijshëm për këtë tërheqje.
“Është hera e disatë që ndodhin çështje të tilla ku gazetarët paditen me padi të kësaj natyre që janë absurde. Qëllimi i tyre është të intimidojnë gazetarët dhe kolegët e tjerë që mund të mendojnë të angazhohen në kritika publike. Në botë njihet me termin “padi SLAPP”, për të cilat Bashkimi Evropian po përgatit një direktivë të posaçme për krijimin e mekanizmave filtruese, që të mos ndodhin më në të ardhmen. Në Shqipëri nuk kemi ende mekanizma të tillë, dhe me sa duket kjo lloj mungese u jep një shans më shumë atyre që kanë tendencën të abuzojnë”.
Res Publica