NGA: GRUPIMI PËR MBROJTJEN E KOMBINATIT
QENDRA RES PUBLICA
DREJTUAR: Z. ERJON VELIAJ, KRYETAR I BASHKISË TIRANË
Znj. ROMINA KUKO, KRYETARE E KËSHILLIT BASHKIAK TË BASHKISË TIRANË
Ne, Banorë të Kombinatit, të organizuar me qëllim gjetjen e një zgjidhje të drejtë për mbrojtjen e banesave ku jetojmë, pas pasojave të Tërmetit 26 Nëntorit 2019, dhe nga keqmenaxhimi i situates deri tani në Kombinat, i drejtohemi me këtë letër të hapur Z. Erjon Veliaj, si Kryetar i Bashkisë, dhe Znj. Romina Kuko, si Kryetare e Këshillit Bashkiak.
Siç Ju jeni në dijeni, janë rreth 67 vendime të Këshillit Bashkiak Tiranë, të cilat, në dijeninë tonë janë ekzekutuar në 28 raste deri në momentin e hartimit të kësaj kërkese.
Nga të gjitha proceset e nisura në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë, ka rezultuar se pallatet (objektet) e caktuar për prishje nuk plotësojnë kriteret ligjore për prishje sepse nuk kanë shkallë të lartë dëmtimi.
Në çdo rast të përfundimit të gjykimit, oponencat teknike të Institutit të Ndërtimit dhe vendimet e Këshillit Bashkiak Tiranë janë shfuqizuar si akte të paligjshme. Kjo ka ndodhur për të paktën 9 pallate (objekte) për të cilat gjykata ka shfuqizuar vendimet e Këshillit Bashkiak Tiranë.
Njëlloj pritet që gjykata të vendosë për vendimet e prishjes së të paktën 3 pallateve të tjerë, që janë ende në shqyrtim, për të cilët është paraqitur akt-ekspertizë nga ekspertë të caktuar nga gjykata. Sipas këtyre akt-ekspertizave, pallatet nuk duhet të prishen pasi shkalla e dëmtimit është më e vogël (DS1-DS2).
Në të njëjtin përfundim duket se do të rezultojnë edhe çështjet e nisura për 4 pallate të tjera në fazë shqyrtimi gjyqësor, të cilat, sipas akt-ekspertizave private të bëra nga ekspertë të licensuar, nuk janë të dëmtuar në shkallën DS4 – DS5 siç rezulton nga akt ekspertizat e thelluara të Bashkisë Tiranë dhe oponencat teknike përkatëse të Institutit të Ndërtimit.
Argumentet për paligjshmërinë e konstatuar nga ana jonë, por edhe nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, Tiranë, po i rendisim si më poshtë:
Ka rezultuar që të paktën 16 pallate të shpallura për prishje të detyruar janë në shkallë dëmtimi të lehtë, në pjesën më të madhe të rasteve DS2, në ndonjë rast shkalla e dëmtimit ka qënë pjesërisht DS3 ose DS1, shkallë për të cilat nuk kërkohet kryerja e akt ekspertizave të thelluara.
Nuk ka informacion shterues lidhur me rezultatet e akt-konstatimeve paraprake dhe rezultatet e kryera paraprakisht nga Instituti i Ndërtimit, por në disa raste kur kemi pasur informacion, kemi vënë re se akt-konstatimi nuk ka evidentuar shkallë të rëndë dëmtimi, që të sugjerojë kryerjen të akt-ekspertizave të thelluara. Në këto kushte, duket se vendimarrja e Bashkisë Tiranë për kryerjen e Akt-Ekspertizës së Thelluar është e pabazuar. Për më tepër këto akt-ekspertiza paraqesin fakte të pavërteta, mbi të cilat është vendosur prishja e pallateve në mënyrë abuzive.
Në të gjitha praktikat e shqyrtuara, ka rezultuar e provuar se shkalla e dëmtimit të pallateve nuk ka qenë DS4 apo DS5, ndaj për të paktën për këto pallate nuk ka qenë e domosdoshme fare kryerja e akt ekspertizave të thelluara nga ana e Bashkisë Tiranë dhe për pasojë këto pallate nuk duhet të klasifikoheshin për prishje të detyruar.
Nisur nga sa më sipër, ka arsye për të vënë në dyshim edhe saktësinë e të gjitha VKB-ve të tjera për prishjen e detyruar të ndërtesave (pallateve).
Pasaktësitë e Akt-espertizave të thelluara të Bashkisë Tiranë nuk janë konstatuar nga oponencat teknike të Institutit të Ndërtimit, të cilat gjithashtu përmbajnë një mori pasaktësish, të konstatuara rregullisht nga gjykata administrative.
Akt-Ekspertiza e Thelluara të përshkruara më sipër i nënshtrohen oponencës teknike të Institutit të Ndërtimit, si detyrim ligjor, e cila më pas rekomandon për prishjen e detyruar të pallatit: (1) nëse shkalla e dëmtimit është DS5 ose; (2) prishjen e detyruar, nëse shkalla dëmtimit është DS4 dhe kosto e riparimit është mbi 70% e kostos së rindërtimit.
Ajo që është konstatuar nga shqyrtimi i të paktën 16 praktikave është se preventivi i kostos së riparimit është fryrë në mënyrë të sforcuar, ndërsa preventivi i kostos së rindërtimit është ulur në mënyrë të sforcuar, me qëllim rritjen në mënyrë fiktive të raportit mes tyre për të kaluar masën mbi 70%. Kjo është e dukshme në pamje të parë dhe rezulton e tillë edhe nga ekspertizat gjyqësore dhe jashtë gjyqësore. Për ta ilustruar sjellim vetëm një shembull.
Ndërsa te preventivi i riparimit evidentohen zëra të panevojshëm për riparimin e pallatit si: lulishte, trotuarë, sisteme kundra mbrojtjes nga zjarri, sisteme qendrore ftohje-ngrohje, etj, nga ana tjetër në preventivin e kostos së rindërtimit, jo vetëm që këto zëra mungojnë, por këtu kostoja e vetme që paraqitet është çmimi mesatar i ndërtimit të Entit Kombëtar të Banesave, që shërben vetëm për referencë për efekte fiskale dhe nuk paraqet koston reale të ndërtimit. Në fakt, kosto e rindërtimit përmban edhe zëra të tjerë, siç është prishja e objektit ekzistues, transporti i mbetjeve pas prishjes së objektit, depozitimi i mbetjeve në landfill, apo shpenzime për ndërtimin sipas standardeve të vendosura nga aktet e dala pas vendosjes së çmimit mesatar të ndërtimit nga EKB, apo taksa mbi infrastrukturë, etj. Disa zëra, qartazi janë përjashtuar nga kosto mesatare e EKB, sipas Udhëzimit të Këshillit të Ministrave nr. 3/2016.
Këto më sipër, por edhe të tjera pasaktësi, janë konstatuar edhe nga ekspertë të tjerë të pavarur, ose/edhe nga ekspertë të caktuar nga vetë gjykata. Gjithsesi, përveç provave si më sipër, të gjitha këto janë fakte të cilat janë lehtësisht të evidentueshme nga ekspertë të tjerë të fushës.
Gjithë sa është konstatuar më sipër ka qenë detyrë ligjore e Institutit të Ndërtimit t’i evidentojë në bërjen e oponencës teknike, e cila në çdo rast duket si “noterizim” i Aktit të Ekspertizës së Thelluar. Në fakt oponencat teknike nuk kanë realizuar funksionin e tyre dhe kanë “certifikuar” fakte të pavërteta, ndaj në ato herë që ato i janë nënshtruar shqyrtimit gjyqësor janë shfuqizuar në të gjithë rastet.
Nëse oponenca do të ishte kryer në standardin e duhur, procedura e nisur për prishjen e detyruar të pallateve nuk do të vazhdonte dhe dëmi i financave publike dhe të drejtave të shtetasve nuk do të thellohej.
Mungesa e kapaciteteve dhe e standardit për të kryer Oponenca Teknike nga ana e Institutit të Ndërtimit është konstatuar edhe në raportin e Auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, të kryer në këtë institucion në prill 2020.
Përveç dëmtimit të interesave të banorëve të prekur të pallateve që janë caktuar për prishje në mënyrë abuzive, sipas shpjegimeve të dhëna më sipër, në rast se vijon zbatimi i VKB-ve rrezikohet shpërdorimi i fondeve publike.
Nëse akt-ekspertiza e thelluar e porositur nga Bashkia Tiranë ka nxjerrë objektin për prishje dhe kostoja e ndërtimit nga e para e një objekti të tillë është 70-80 milon lekë (në praktikë mund të shkojë dy herë më e lartë), por në realitet objekti ka nevojë për përforcime në vlera 10-20 milion lekë, atëherë kuptohet që këto vendimmarrje sjellin shpërdorim të fondeve të buxhetit të shtetit. Ky i fundit mund të përballojë ato raste kur realisht ka nevojë për ndërhyrje dhe jo të gjitha rastet që në mënyrë abuzive janë shoqëruar me fryrje kostosh.
Në proceset gjyqësore që janë zhvilluar në Gjykatën Administrative është konstatuar rregullisht se vlerat e riparimit kanë qenë dhjetëra milion lekë më të ulët në çdo rast. Nëse matet efekti i të gjithë VKB-ve, vlera në miliona Euro, të cilat do i rëndojnë pa të drejtë buxhetit të Bashkisë, buxhet i cili mund të përdorej për qëllime të tjera në ndihmë të qytetarëve.
Shkeleje në këtë proces janë konstatuar edhe nga Avokati i Popullit, të publikuara në raportet e këtij institucioni.
Nisur nga këto kushte, i drejtohemi me këtë peticion Këshillit Bashkiak dhe Bashkisë Tiranë, ku i kërkojmë:
- Pezullimin e ekzekutimit të VKB-ve të marra për shëmbjen e një numri pallatesh që janë piketuar për t’u shembur, por që nuk janë shembur ende;
- Rishikimin e VKB-ve për prishje të detyruar të pallateve, të cilat ende nuk janë ekzekutuar deri tani.
- Organizimin e konsultimeve publike efektive, të cilat i kanë munguar tërësisht këtij procesi deri tani;
- Marrjen e masave për nisur riparimin e pallateve, të cilat kanë nevojë për ndërhyrje sipas programeve të rindërtimit, për të gjithë ato pallate që Gjykata i ka konstatuar në nivelin e dëmtimit DS2 apo DS3;
- Angazhimin e Bashkisë së Tiranës për zgjidhjen e situatës në një numër pallatesh të cilat ose nuk kanë vendim për prishjen e tyre, ose janë braktisur, ose janë planifikuar për u shëmbur por nuk janë shëmbur;
- Angazhimin e Bashkisë së Tiranës për rehabilitimin e territorit ku dikur qëndronin pallatet tashmë të shembull.
Pezullimi i ekzekutimit të vendimeve të mbetura dhe rishikimi i tyre nga ana e Bashkisë dhe Këshillit Bashkiak Tiranë do të sillte si pasojë ndërprerjen e: (1) dëmit të mëtejshëm financiar për buxhetin e shtetit dhe; (2) cënimit të mëtejshëm të interesave të ligjshme të shtetasve.
Ky angazhim do të krijonte mundësinë që banorëve të Kombinatit t’u garantohej e drejta e sigurimit dhe ruajtjes së banesës së tyre; cilësia urbanistike e jetesës së tyre dhe do të krijonte mundësi për biznesin e vogël dhe të mesëm familjar që të prosperojë dhe zhvillohet.
Ne banorët e Kombinatit:
- Shprehemi të gatshëm të bashkëpunojmë me dokumentacion që hedh dritë për fakte të reja të tilla si akt ekspertiza private, të cilat do të vlenin si bazë e mirë për të mbështetur vendimarrjen për pezullimin dhe rishikimin e vendimeve të Këshillit Bashkiak të pa ekzekutuara;
- Shprehemi të gatshëm të bëjmë pjesë në grupe pune të ngritura nga Ju për realizimin e kërkesave tona;
Me bindjen se krijimi i urave lidhëse mes Institucioneve dhe komunitetit të Kombinatit, por edhe më gjerë, do t’i shërbente njëkohësisht interesave të të dy palëve, Ne do të siguronim të drejtat tona të pronës dhe jetesën paqësore aty ku kemi trasheguar banesën dhe Ju do të siguronit përmbushjen e detyrave ndaj publikut dhe ruajtjen e financave publike nga shpërdorimi e keqmenaxhimi.
Ju falenderojmë për vëmendjen!
Grupimi për Mbrojtjen e Kombinatit
Qendra Res Publica
* Kjo letër e hapur u realizua në kuadër të projektit “Për një proces rindërtimi më të përgjegjshëm” të mbështur nga LevizAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC.