Fondacioni ungjillor (“Instituti për Inkurajim Total”) fitoi gjyqin ndaj Bashkisë së Tiranës duke përfituar edhe dëmshpërblimin për prishjen e paligjshme të objektit të kultit.
Hetimi gjyqësor zbuloi se akt-ekspertizat mbi të cilat Bashkia e Tiranës kishte vendosur prishjen e objektit ku zhvillohej aktiviteti fetar nuk bazohej mbi fakte të vërteta. Godina ishte klasifikuar pa të drejtë si e dëmtuar në shkallën DS4, ndërsa banorët nuk u njoftuan për aktet e prishjes së objektit.
Të gjitha këto shkelje u provuan në Gjykatën Administrative të Tiranës cila për një vit shqyrtoi padinë e ngritur nga fondacioni “Instituti për Inkurajim Total” .
Në përfundim të hetimit gjyqësor u vërtetua se ky fondacion është shpronësuar de facto dhe ka humbur objektin e kultit në kundërshtim me ligjin.
As kundërshtimet e banorëve dhe as ndërhyrjet e Avokatit të Popullit nuk ndalën rrënimin, ndërsa procesi gjyqësor zbuloi fakte që vërtetojnë shkeljet ligjore të bashkisë.
Ky vendim gjykate është i pestë në radhë, ku gjykata Administrative ka gjetur në shkelje ligjore Bashkinë e Tiranës për procedurat e ndjekura në procesin e rindërtimit të objekteve që u dëmtuan nga tërmeti i nëntorit 2019.
Për avokatët, ky vendim gjykate krijon precedentin e dëmshpërblimit për të gjithë ata shtetas, banesat e të cilëve u rrënuan në kundërshtim me aktet ligjore dhe ekspertiza jo të sakta.
Rrënimi
Aty ku dikur besimtarët ungjillorë kishin objektin e tyre të kultit sot ka mbetur vetëm gërmadha të cila ka mbuluar jo vetëm sakrificat e besimtarëve por edhe kujtimet e familjeve që kanë jetuar aty. Bashkia Tiranë ka plane të mëdha për zonën por duket se të gjitha vendimmarrjet për projektet e rindërtimit, që i janë nënshtruar shqyrtimit gjyqësor, bien ndesh me ligjin.
Një vit më parë, ungjillorët vendosin të gjejnë drejtësi në dyert e gjykatave duke paditur Bashkinë e Tiranës ndërsa pjesa tjetër e banorëve duket se ka bërë përpjekje për të parandaluar prishjen e pallatit 153 në Kombinat.
Me të parë fadromat, banorët kërkuan ndërhyrjen e Avokatit të Popullit për të parandaluar aksionin e shembjes. Ata ishin njoftuar gojarisht për shembjen e pallatit, por asnjëherë në mënyrë zyrtare. Banorët i thanë përfaqësuesve të Avokati të Popullit se asnjë akt administrativ apo dhe vendim për prishje nuk u është bërë i ditur.
Avokati i Popullit ka nisur hetimin mbi procedurat dhe aktet administrative të ndjekura nga Bashkia e Tiranës, e pritej të dilte me një vendim ndërsa Fondacioni “Instituti për Inkurajim Total” vendosi t’i drejtohet gjykatës për kundërshtuar aktin e ekspertizës dhe oponencën teknike të Institutit të Ndërtimit, vendimin e Këshillit Bashkiak për prishjen e pallatit si dhe dëmshpërblim ndaj dëmit të shkaktuar për prishjen e objektit të kultit.
Padia u pranua pasi provat e paraqitura gjatë hetimit gjyqësor nxorën në pah të gjitha shkeljet dhe manipulimet me aktet e ekskretimit mbi të cilat u vendos shembja e pallatit 153.
Përveç aktit të ekspertimit të realizuar nga një studio projektimi e kontraktuar nga vetë banorët, edhe eksperti i caktuar nga gjykata konkludoi se pallati kishte dëmtime të lehta dhe jo të shkallës DS4 dhe faktet në të cilën është bazuar vendimi i Këshillit Bashkiak, nr.121 më datë 28.09.2020 për prishin e objektit, ishin të pavërteta.
Konkretisht, sipas ekspertizës private dhe ekspertit të gjykatës, godina kishte dëmtime të lehta në suva dhe jo në strukturë, duke e klasifikuar shkallën e dëmtimit të pallatit në DS2, për të cilën banorët duhet të përfitonin grant në masën 250 000 lekë për të riparuar vetë dëmtimet në banesën e tyre.
Ndërsa akt ekspertiza e Bashkisë Tiranë fliste për dëmtime të rëndësishme strukturore të objektit që kërkonin ndërhyrje përforcuese, duke e vlerësuar masën e dëmtimin në DS4.
Në gjykatë u provua se raporti mes kostos së rindërtimit të pallatit nga fillimi dhe kostos së riparimit ishte vetëm 37% , dukshëm nën masën 70% që parashikon ligji në këto raste.
Vendimi që krijon precedent
Mëngjesin e 18 Qershorit 2021 disa fadroma të Inspektoratit për Mbrojtjen e Territorit rrethuan pallatin 153 në rrugën “Sokrat Mosko” në Kombinat, duke nisur në këtë mënyrë ekzekutimin e vendimit të Këshilli Bashkiak i Tiranës. Për një vit, asnjë prej zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës nuk kishte gjetur kohë të njoftonte banorët për vendimet e ndërmarra nga ky institucion për prishjes banesave të tyre. Fadromat thjesht nisën punë e tyre të rrënimit të gjithçkaje aty.
Mos lajmërimi i banorëve mbi vendimet që cenonin pronën e tyre është është konsideruar si shkelje ligjore nga Gjykata Administrative e Tiranës. Ky fakt nuk është abuzimi i vetëm ligjor që gjykata provoi gjatë hetimit gjyqësor të çështjes së pallatit 153. Manipulimet me aktet e ekspertizave dhe preventivë e fryra mbi të cilat është vendosur shembja e objektit është skandali që duket se po shoqëron në mënyrë të përsëritur çdo vendimmarrje të Këshillit Bashkiak të Tiranës që i është nënshtruar gjyqit deri tani.
Përveç kostove të riparimit, rreziku për jetën e njerëzve ishte një tjetër argument që juristët e Bashkisë gjatë seancave gjyqësore, justifikuan vendimmarrjen e Bashkisë së Tiranës për pallatin 153 në Kombinat, edhe pse në shkresat e Bashkisë nuk gjendej një justifikim i tillë. Në seancat gjyqësore Bashkia Tiranë nuk paraqiti asnjë një akt konstatimi të rrezikshmërisë ndërsa banorët jetuan aty deri në ditën e prishjes së godinës. Ky pretendim i Bashkisë u rrëzua në gjykatë.
“Provohet se bashkia Tiranë ka prishur pallatin 153 dhe 153/1 të ndodhur në rrugën Sokrat Mosko, pjesë e të cilit ka qenë edhe pasuria e paluajtshme me nr 5/49 -N1 e llojit apartament me sipërfaqeje 96 m2 në emër të paditësit. Ndodhur përballë këtij fakti gjykata vlerëson se paditësit i janë cenuar të gjitha tagrat e pronësisë, duke u ndodhur në kushtet e një shpronësimi faktik” – arsyeton gjykata, sipas së cilës këto vendimet bien ndesh me Kushtetutën dhe Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë.
Nisur nga shkeljet e konstatuara gjykata ka vendosur pranimin e kërkesës për dëmshpërblim pasuror dhe ka urdhëruar bashkinë e Tiranës të dëmshpërblejë fondacionin ungjillor me një vlerë të përafërt me tregun.
* Ky artikull u realizua në kuadër të projektit “Për një proces rindërtimi më të përgjegjshëm” të mbështur nga LevizAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC.
L.C.