Vendimmarrje në kundërshtim me ligjin, manipulime të akteve të ekspertizave, kosto të fryra por dhe abuzime me procedurat administrative duket se shoqërojnë procesin e rindërtimit për objektet e dëmtuara nga tërmetit i Dhjetorit të 2019. Këto shkelje janë të vërtetuara edhe nga gjykata.
Të paktën kështu ka ndodhur pallatin 141 në Kombinat ku shkeljet ligjore janë konstatuar edhe Gjykata Administrative e Tiranës e cila urdhëroi shfuqizimin e të gjitha akteve për shembjen e kësaj godine.
Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi vendimin për prishjen e detyruar të pallatit pas hartimit të një akt ekspertize nga një kompani e kontraktuar nga Bashkia Tiranë dhe konfirmuar nga oponenca teknike e Institutit të Ndërtimit. Sipas akt-ekspertizës shkalla e dëmtimit të pallatit 141 është DS4 ndërsa raporti mes kostos së rindërtimit të pallatit dhe kostos së riparimit është llogaritur në masën 80.02%. Në zbatim edhe të Aktit Normativ nr. 9/2019, sipas të cilit në ato raste kur kostot e riparimit kalojnë masën e 70 % të kostos së ndëritmit nga e para, godina duhet të shembet, u vendos prishja e detyruar e pallatit në Kombinat.
Por të gjitha procedurat e ndjekura nga Bashkia e Tiranës janë shfuqizuar nga gjykata e cila vendimmarrjen për prishjen e Pallatit 141 e konsideron një rast që ka cenuar standardet e një procesi të rregullt ligjor.
Faktet e paraqitura gjatë gjykimit bindën gjykatën të vendosë mos prishjen e Pallatit 141, sikurse kërkoi Bashkia Tiranës.
Ky vendim ishte i 5-ti në radhë dhënë nga Gjykata Administrative e Tiranë që shfuqizon aktet e Bashkisë Tiranë për prishjen e objekteve, kryesisht në Kombinat.
Në një mbledhje maratonë më 28 Shtator 2020 Këshilli Bashkiak i Tiranës vendosi shembjen e 19 pallateve në zonën e Kombinat, zonë në të cilën ka projekte zhvillimi. Në shumë raste vendimet e Këshillit Bashkiak janë ankimuar në gjykatë e cila ka vlerësuar se vendimmarrjet kanë qenë të gabuara dhe në kundërshtim me ligjin.
Vendimmarrja mbi dokumente të manipuluara
Vetëm një ditë pasi kishte siguruar oponencën teknike të Institutit të Ndërtimit, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mblodhi në sallën qendrore të bashkisë punonjës të administratës së tij por edhe ekspertë inxhinierë të përfshirë në procesin e rindërtimit. Mbledhja u konsiderua si një dëgjesë publike me ata të cilët kanë kryer vlerësimet përkatëse për pallatet e dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019. Të pranishëm në sallë nuk ishin asnjë prej banorëve, shtëpia e të cilëve me një të rënë të lapsit u vendos të rrënohej.
Sipas njoftimit të bashkisë, kjo ishte seanca e dytë e dëgjesës publike që bashkia zhvillonte për projektet e rindërtimit dhe nga podiumi i kryebashkiakut Veliaj u siguroi banorëve se “lagjet e reja që do të ndërtoheshin në Kombinat dhe Kinostudio do të ishin ndër më të bukurat në qytet”.
Duke iu referua akt ekspertizave të hartuar nga inxhinierë të kontraktuar nga Bashkia, Veliaj sqaroi se vendimmarrja për shembjen e pallateve ishte në zbatim të aktit normativ nr 9, i miratuar më 16 dhjetor 2019.
Sipas aktit, për shkallën e dëmtimit DS4, sipas nenit 34, nëse ndërhyrjet për riparimin e strukturës së godinës kushtojnë më shumë se 70% e kostos së rindërtimit nga e para të godinës, atëherë autoriteti përgjegjës vendos shembjen e detyruara të këtij objekti.
“Vendimi i bashkisë për prishjen e detyruar të ndërtesave në pronësi private apo publike, pra ato raste kur ndërtesa është e dëmtuar nga fatkeqësia natyrore, kur nuk mund të riparohet ose riparimi kushton më shumë se 70% e kostos së ndërtimit nga e para, merret nëpërmjet këtij procesi transparent dhe bazuar në parashikimet e aktit normativ”- thoshte Veliaj teksa nga një video-projektor i vendosur në sallë shfaqeshin imazhet e godinave të dëmtuara nga tërmetit i 26 nëntorit në Kombinat.
Në një nga pamjet ishte edhe pallatit 5 katësh i identifikuar si objekti nr. 141 në rrugën Sokrat Mosko, me shkallë dëmtimit të vlerësuar DS4.
Pikërisht në këtë pallat, në një apartament 61 m2, banonte edhe J.K. 56 vjeçari ndiqte në ankth konkluzionet e eksperteve dhe deklararat e kryebashkiakut që e vlerësonin pallatin ku ndodhej apartamenti i tij të pa sigurtë për jetën. Nga podiumi i sallës së mbledhjeve të bashkisë, Veliaj deklaroi se kishte vendosur që pallati ku jetonte familja e J.K. nuk kishte leverdi të riparohej.
Pas këtyre deklaratave të Veliaj, vendimet i Këshillit Bashkiak të Tiranës, të marra më 28 shator 2020, ishin thjeshtë një formalitet.
Megjithëse kryebashkiaku premtonte transparencë dhe ndërtime në standarde evropiane, duket se fjalët nuk bindën J.K., i cili për të mësuar mbi ligjshmërinë e vendimeve bashkiake iu drejtua avokatëve Dorian Matlija dhe Irena Dule.
Ajo që u zbulua ndoshta përbën skandalin më të madh të rindërtimit të objekteve të dëmtuara nga tërmeti në Shqipëri. Akti i ekspertimit dhe oponenca teknike e Institutit të Ndërtimit, mbi të cilin janë marrë vendimet e Bashkisë Tiranë, ishin të pasakta në fakte dhe në shifra.
Pas kësaj, 56 vjeçari vendos t’i drejtohet gjykatës. Fillimisht për të kërkuar vendosjen e masën së sigurimit për të penguar prishjen e objektit nga fadromat e më pas shfuqizimin e oponencës teknike të Institutit të Ndërtimit si dhe vendimin e Këshillit Bashkiak për shembjen e detyruar të pallatit 141 në Kombinat.
Përgjatë hetimit gjyqësor, që zgjati rreth një vit, u vërtetua se vendimi i Këshillit Bashkiak ishte bazuar mbi ekspertiza tepër të pasakta, të cilat më pas ishin certifikuar nga Instituti i Ndërtimit, pa bërë asnjë vlerësim real të këtyre eskpertizave.
J.K., fillimisht i paraqiti gjykatës një akt ekspertimi të firmosur nga dy inxhinierë të cilët e përcaktonin nivelin e dëmtimit të pallatit në DS3 dhe me kosto e riparimi 10,000,000 lekë, ndërsa në akt- ekspertizën e thelluar, të hartuar nga një kompani e kontraktuar nga Bashkia e Tiranës, vlera e riparimit të pallatit është përcaktuar me 41,189,612 lekë.
“Banorët janë investuar dhe kanë bërë një akt privat ekspertize që u paraqit para gjykatës, për të vlerësuar dhe shkallën e dëmit. Ishte shumë e thjeshtë për të dalë në përfundimin e vendimit të kundra ligjshëm të bashkisë qoftë duke u nisur nga preventivi i punimeve, që është pjesë e të gjithë dosjes që ka sjellë pala e paditur” – thotë avokatja Irena Dule.
Një tjetër anomali e konstatuar gjatë hetimit gjyqësor ishte sipërfaqja totale e pallatit mbi të cilën është bazuar ekspertiza e thelluar. Sipas dosjes gjyqësore sipërfaqja e pallatit është të pakën 210 m2 më e madhe sa prezantohet në dokumentet e bashkisë dhe aktet e ekspertimit. Kjo anomali ka ngritur dyshime se akt-ekspertiza e thelluar nuk është bazuar verifikime në terren.
Rritja e kostove të riparimit dhe zërave të punimeve ishte një tjetër fakt që u konstatua nga gjykata. Sipas preventivit të bërë nga Instituti i Ndërtimit, i emërtuar “Për punimet e e ndërhyrjes strukturore për përforcimin e pallatit nr 141”, kosto e punimeve rezulton të jetë 34.596.519 lekë. Ky preventiv, sipas ekspertes së caktuar nga gjykata përmbante punime të panevojshme për përforcimin e objektit, të tilla si suvatim nga jashtë me sistemin kapot, instalime kondicionimi apo edhe lulishte.
Kur gjykata i kërkoi ekspertes të zbriste kostot e këtyre punimeve, që nuk kishin të bënin më përforcimin e godinës, vlera e punimeve për riparimin e pallatit rezultoi shumë herë më e ulët, rreth 28 milion lekë.
E pa saktë gjatë hetimit gjyqësor rezultoi edhe shifra e rindërtimit të këtij pallati, e cila ishte llogaritur për një sipërfaqe më të vogël sa është në realitet godina. Bashkia e kishte llogaritur vlerën e rindërtimit në shifrën e 51.316.574 lekëve, pa përfshirë në projekt kostot e prishjes e objektit ekzistues.
Sipas aktit të ekspertizës së ekspertes së caktuar nga gjykata kjo vlerë ishte më e lartë edhe për sipërfaqen e 1650 m2 mbi të cilën ka përllogaritur kostot bashkia. Sipas ekspertes së gjykatës kosto e rindërtimit rezulton të jetë 54.883.770 lekë, pa shtuar këtu edhe faktin se kostove shtesë për sipërfaqen që nuk është përllogaritur pasi sipërfaqja totale e pallatit 141 sipas gjykatës është 1860m2.
Mbi bazën e këtyre fakteve gjykata ka zbuluar se edhe raporti mes kostos së riparimit dhe ndërtimit për këtë objekt nuk është e saktë.
Sipas oponencës teknike të Institut të Ndërtimit, për pallatin 141 raporti mes kostos së riparimit dhe kostos së rindërtimit rezulton të jetë 80%. Ndërsa për eksperten e gjykatës ky raport është 49% , dukshëm nën limitin ligjor prej 70% i vendosur si kriter për rindërtimin apo riparimin e objektit.
Avokatja Irene Dule thotë se preventivi ka pasur kosto të shtuara me qëllim tejkalimin ligjor prej 70% të kostos.
“Ka pasur zëra të tillë në preventiv që e kanë rritur vlerën e preventivit në mënyrë artificiale për ta kapur këtë vlerë mbi 70%. Ka pasur trotuare, pemë dekorative, sisteme kundër zjarrit, veshje kapot, gjëra të cilat nuk i shërbejnë qendrueshmërisë së pallatit, siç vetë akti normativ kërkon, që ti do të investosh aq sa ta bësh pallatin të qendrueshëm dhe jo ta bësh pallat luksi”, – përfundon avokatja Dule.
Në këtë konkluzion ka dalë edhe gjykata. “Duke iu referuar akt të ekspertimit teknik ndërhyrjet për riparimin e strukturës së pallatit 141 nuk kushtojnë më shumë se 70% e kostos së rindërtimit të ndërtesës. Për shkak se nuk kushtojnë më shumë se 70 % kjo strukturë nuk mund të shembet për shkak se nuk përmbush kushtet dhe kriteret e parashikuara në pikën 4 të nenit 34 të aktit normativ.” – thuhet në vendimin e zbardhur të gjykatës, ku aktet e miratuara nga Këshilli Bashkiak cilësohen të ndërmarra në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën e vendit.
“Përsa më sipër aktet administrative objekt i këtij gjykimi rezultojnë të jenë nxjerrë në kundërshtim me aktin normativ duke cenuar kështu edhe të drejtën e pronës private, e cila gjen mbrojte të veçantë edhe nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”- vijon arsyetimin gjykata.
Mos njoftimi i banorëve për vendimmarrjen administrative është një tjetër shkelje, të cilën gjykata e ka konsideruar si cenim të standardeve të një procesi të rregullt ligjor.
“Mos njoftimi i paditësit për procedimin administrativ, i cili është finalizuar me aktin administrativ i cili është objekt i këtij gjykimi ka cenuar të drejtën për t’u dëgjuar dhe mbrojtur në procesin administrativ. Në këto kushte gjykata vlerëson se palët e paditura nuk kanë respektuar standardet e një procesi të rregullt ligjor”- vijon arsyetimin gjykata.
Gjykata vlerëson se Këshilli Bashkiak dhe Instituti i Ndërtimit nuk kanë respektuar dispozitat që kanë të bëjnë me procedurën e nxjerrës së aktive administrative.
Ky vendim është apeluar nga Bashkia e Tiranës, ndërsa sipas avokates Irena Dule janë edhe një sërë çështjes të tjera që po ndiqen në gjykatë për të njëjtin set vendimesh të Këshillit Bashkiak, që lidhen me shembjen e detyrueshme të godinave me pretendimin se janë dëmtuar nga tërmeti.
* Ky artikull u realizua në kuadër të projektit “Për një proces rindërtimi më të përgjegjshëm” të mbështur nga LevizAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC.
L.C.