Matlija: “Pas këtij vendimi të sotëm, u bë praktikisht e pamundur që të dhënat e gazetarëve, sekretet e tyre profesionale, burimet e tyre të rrezikohen nga urdhërime të papërgjegjshme sekuestrimi, siç ishte ai i dhënë në prill të këtij viti kundër Lapsi.al”
Gjykata e Lartë vendosi të enjten mospranimin e rekursit të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për sekuestrimin e serverave, kompjuterëve dhe telefonave të gazetarëve të portalit “Lapsi.al”.
Bëhet fjalë për skandalin e denoncuar nga kjo media për çështjen e publikimit të databazës para zgjedhjeve të 25 Prillit me të dhënat personale të mbi 900 mijë qytetarëve në Tiranë, që më pas mori emrin si ‘lista e patronazhistëve’ dhe hapi një debat të nxehtë në politikë.
Vendimi përkon pikërisht në ditët kur në media qarkullon një listë e pagave, kartave të identitetit dhe numrave të të telefonit të mbi 637 mijë qytetarëve të punësuar në sektorin publik dhe atë privat.
SPAK insistoi duke bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, edhe pse kundër këtij veprimi ishte marrë një masë sigurie nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Pas diskutimeve të bëra në seancën gjyqësore të datës 21 dhjetor 2021, mesditën e së Enjtes, Gjykata e Lartë vendosi mos pranimin e rekursit të prokurorisë.
Para Gjykatës u analizuan fatet se SPAK gjatë hetimit nuk ka bërë përpjekjet e duhura për të siguruar informacioneve në burime të tjera për të zbardhur një prej skandaleve më të mëdha të rrjedhjes së informacionit për të dhënat personale.
Gjykata e Lartë urdhëroi që vendimi mbi çështjen Lapsi të jetë njësues për praktikën gjyqësore për cdo rast të ngjashëm të sekuestrimit të të dhënave kompjuterike, në përgjithësi dhe në veçanti kur këto të dhëna ndodhen në duart e gazetarëve.
Sipas vendimit, tash e tutje të gjitha gjykatat në shkallë vendi, në rastet e ngjashme mbi kërkesat për sekuestrimit të mjeteve dhe objekteve personale të udhëhiqen në vendimmarrje nga ky vendim njësues.
Gjykata sanksionoi që sekuestrimi i të dhënave personale të shtetasve në përgjithësi të bëhet vetëm në rrethana të domosdoshme, në një mënyrë gati kirurgjikale, duke sekuestruar vetëm materiale specifike, aq sa është e nevojshme, për aq kohë sa është e nevojshme.
Kur kërkesat për sekuestrim prekin gazetarët, Gjykata e Lartë u shpreh se sekuestrimi i mjeteve apo dhe sendeve personale të mos behet në asnjë rast në qoftë se prokuroria nuk ka bërë më parë të gjitha përpjekjet për të hetuar në të gjitha burimet e tjera të mundshme.
Sipas arsyetimit të gjykatës, edhe në rastet më ekstreme, kur pas gjithë procedurave hetimore të ezauruara, nëse prokuroria ende nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të siguruar provën, sekuestrimi duhet të behet vetëm për të dhëna specifike, që janë të domosdoshme për hetimin, duke u argumentuar me detaje pse duhet kjo e dhenë sekuestrimi, si ndikon ajo në hetim, pse mundësitë e tjera dështuan, etj, si dhe duhet të ndërhyet sa më pak që të jetë e mundur, për aq sa është e nevojshme për hetimin, duke treguar kujdes maksimal për sekretet e gazetarit dhe mbrojtjen e burimeve të tij.
Kjo çështje me interes për praktikën gjyqësore, u mbrojt nga Qendra Res Publica me mbështetjen e National Endowment for Democracy. Pas këtij vendimi të Gjykatës së Lartë, ka reaguar avokati i Lapsit.al, Dorian Matlija.
“Në këtë mënyrë gjykata e lartë vendosi një standard pozitiv për mbrojtjen e burimeve të gazetarëve. Vendimi sanksionon se si duhet të procedohet në rastet kur flitet për mjetet e gazetarëve të cilat janë aq të rëndësishme sa çdo ndërhyrje në këto të dhëna mund të bëhet në mënyrë kirurgjikale dhe vetëm atëherë kur prokuroria të ketë demonstruar me prova se ka ezauruar çdo mundësi teorike dhe praktike hetimore në zbardhjen e një ngjarje. Pra praktikisht me këtë vendim është pothuajse e pamundur tashmë që të dhënat e gazetarëve, sekretet e tyre profesionale, burimet e tyre të rrezikohen me vendime të papërgjegjshme, siç ishte ai i dhënë në prill të këtij viti kundër Lapsit.al. Në praktikë prokuroria ka gjithmonë mundësi të shumta, qoftë edhe teorike, të marrë prova në burime të tjera dhe nuk do të vijë radha pothuajse kurrë që këto prova të merren nga gazetarët duke rrezikuar burimet e tyre. Ky vendim nuk mbron gazetarët në vetvete, por mbron gazetarinë dhe rrit besimin që burimet do të kenë, pa të cilët media nuk funksionon dhe shoqëria nuk është dot demokratike”.