Kraja hesht mbi fatin e hetimit për një nga skandalet më të mëdha të përdorimit të të dhënave personale në vend
Gjykata e Posaçme e Apelit ka shfuqizuar të enjten, 6 maj 2021, vendimin e Shkallës së Parë që lejonte sekuestrimin e serverit, kompjuterëve dhe telefonave të gazetarëve të portalit “Lapsi.al”.
Vendimi erdhi pasi Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, vendosi më 22 Prill 2021, si masë sigurie mos sekuestrimin deri në momentin kur çështja të gjykohet në themel nga GJEDN.Pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut, drejtuesit e Lapsi.al Andi Bushati dhe Armand Shkullaku të përfaqësuar nga avokati Dorian Matlija, apeluan vendimin e sekuestrimit për efekt hetimit, për atë që mund të quhet një prej skandaleve më të mëdha të përdorimit të të dhënave personale në vend.
Pas vendimit të SPAK, për të hequr masën e sekuestros për Lapsi.al, media e cila nxori databazën e të dhënave personale për 910 mijë qytetarë të Qarkut të Tiranës, ka reaguar avokati i këtij portali, Dorian Matlija, i cili ka ngritur pikëpyetje mbi hetimet e bëra deri më tani nga prokuroria.
Para zgjedhjeve të 25 Prillit “Lapsi.al”, publikoi një databazë me të dhëna personale të mbi 900 mijë qytetarë në Tiranë që më pas mori emrin si ‘skemë patronazhistësh’ dhe hapi një debat kryesisht në politikë.
Dokumenti përmbante të dhënat personale të secilit prej nesh, si numrat e telefonit, numrin e kartës së identitetit, numrin e qendrës së votimit, vendin e punës, dhe përmes një sistemi “patronazhi” krijohen ide paraprake mbi votën.
SPAK nisi verifikimet pas pretendimeve për nxjerrjen e të dhënave personale të qytetarëve nga portali e-Albania për qëllime personale të PS.
Por i vetmi akt i prodhuar nga hetimi ishte vendimi i sekuestrimit të serverit, kompjuterëve dhe telefonave të gazetarëve të portalit “Lapsi.al”
Më shumë se sa një hetim, i cili duhet t’i tregonte shqiptarëve se kush dhe si kanë abuzuar me të dhënat personale, prokuroria sipas sipas ekspertëve u fokusuar tek zbulimi i burimit të gazetarëve.
Përfaqësues të medias, por edhe të organizatave në mbrojte të gazetarëve kanë reaguar mbi hetimet përqendruara tek mjetet e punës së gazetarëve, ndërkohë që SPAK ka refuzuar të përgjigjet për qendrën “Res Publika” mbi fatin e hetimit për e zbardhjen e skandalit, ndoshta më të madh të këtij viti.
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Arben Kraja u pyet nga “Res Publika” mbi hapat procedural që do të ndërmarrë organi i akuzës, në lidhje me vijimin e hetimit për procedimin me nr 93 datë 2021 për veprën penale “Përhapja e sekreteve vetjake” dhe “korrupsion aktiv në zgjedhje” parashikuar nga nenet 122 dhe 328 te Kodit te Procedurës Penale.
Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi Kraja ka refuzuar të përgjigjet ndërkohë që avokati i medias Lapsi.al, Dorian Matlija deklaroi se nuk ka asnjë provë ligjore që të tregojë hetimet e kryera nga prokuroria pqë zbardhjen skandalit.
“Nuk ka asnjë informacioni dhe asnjë pretendimi nga ana e SPAK sa i përket hetimit të çështjes. Prokurori duhet ti demonstronte gjykatës se po bënte një përpjekje të kësaj natyre, por SPAK dështoi së provuari se kishte bërë ndonjë veprim tjetër përvec sekuestrimit të pajisjeve të Lapsit, dhe, le të themi ky ishte dhe argumenti më kryesor pse Gjykata e Apelit e rrëzoi vendimin. Nuk rezulton asgjëkund që SPAK të kishte bërë qoftë diçka më minimale në lidhje me hetimin. Nuk rezulton të kishte thirrur ndonjë nga patronazhistët që listoheshin në databazë, të shkonte tek institucionet shtetërore apo edhe tek subjekti politik, që dyshohet se mund ta kishte këtë databazë. Pra asnjë nga këto, as nuk u pretendua që ishte kryer nga SPAK dhe as nuk u sollën prova në gjykatë për këtë hetim”- deklaroi Matlia.