Përfaqësues të medias, por edhe të organizatave në mbrojte të gazetarëve, kanë mbështetur vendimin e Gjykatës së Strasburgut për të mos lejuar sekuestrimin e serverave dhe të dhënave kompjuterike të medias online Lapsi.al.
Ekspertët e medias i thanë qendrës “Res Publika”, se vendimi i Gjykatës së Strasburgut, i cili u mor pas një kërkesë për pezullim të dërguar në këtë gjykatë nga aplikantët Armand Shkullaku, Andi Bushati dhe Lapsi.al, të përfaqësuar nga avokati Dorian Matlija, është konsideruar si një fitore e jashtëzakonshme e gazetarëve në Shqipëri.
“Vendimi i GJEDNj-së për të pezulluar zbatimin e urdhrit të gjykatës është fitore e jashtëzakonshme e gazetarëve në Shqipëri në përgjithësi dhe e Lapsi.al në veçanti. Gjykata konfirmoi që burimet e gazetarëve gëzojnë mbrojtje të jashtëzakonshme për shkak të rëndësisë së tyre në gazetari dhe në një shoqëri demokratike.” – Flutura Kusari, Këshilltare ligjore pranë Qendrës Evropiane për Liri të Shtypit dhe Mediave.
Sipas Kusarit, vendimi i Gjykatës së Strasburgut është tregues i një njolle të zezë për Shqipërinë sa i përket respektimit të lirisë së medias.
“Por ky vendim është një njollë e zezë për Shqipërinë, e cila si anëtare e Këshillit të Evropës dhe nënshkruese e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, obligohet që të mbrojë burimet e gazetarëve e jo t’i rrezikojë ato si në këtë rast. Shpresojmë që Shqipëria do të mësojë nga ky rast dhe në të ardhmen do të respektojë të drejtën e lirisë së shprehjes së gazetarëve” – shtoi Kusari.
Ndërsa për avokatin Matlija, i cili në bashkëpunim me kolegun e tij Theodors Alexandritis vuri në lëvizje Gjykatën e Strasburgut pas vendimit të marrë nga Gjykata e Posaçme për të miratuar një kërkesë të SPAK për sekuestrim të kompjuterëve, celularëve dhe çdo pajisje elektronike të redaksisë së Lapsi.al, fitorja në Strasburg konsiderohet një leksion për organet e reja të drejtësisë.
“Mbi të gjitha është fitore e standardeve të cilët sot i vijnë në formën e një leksioni edhe organeve të reja të drejtësisë. Njësoj si në çështjen “Sedletska kundër Ukrainës”, patjetër që Gjykata e Strasburgut arriti ta kuptojë që hetimi për një nga skandalet më të mëdha, sic ishte ai i përdorimit të të dhënave të qytetarëve, kishte mundësi të tjera dhe që cenimi i burimit të gazetarëve nuk ishte aspak i justifikuar. Kështu që pas këtij leksioni SPAK duhet të reflektojë dhe të vijojë hetimet duket kërkuar provat gjetkë, pranë PS, AKSHI, etj.”- deklaroi Matlija.
Hetimet e nisura nga SPAK për databazën që tregoi një rrjedhje masive të të dhënave personale të qytetarëve nga institucionet shtetërore janë kritikuar edhe nga drejtuesi i Këshilli i Medias, Koloreto Cukali.
Më shumë se sa një hetim, i cili duhet t’i tregonte shqiptarëve se kush dhe si kanë abuzuar me të dhënat personale, prokuroria sipas Cukalit është fokusuar tek zbulimi i burimit të gazetarëve.
“Skandali i ekspozuar nga Lapsi.al është shumë shqetësues që meriton një hetim deri në fund por jo kundrejt Lapsit dhe kundrejt burimit, por në gjetjen e abuzuesve. Më duket se aty ka material të mjaftueshëm për të hetuar sa i thellë është ky shpërdorim i të dhënave konfidenciale të të gjihë qytetarëve të Tiranës dhe deri ku shkon kjo vrimë e zezë” – thotë Cukali.
Drejtuesi i Këshillit të Medias, në funksion të hetimeve të asaj që ai e quan skandal i përdorimit të të dhënave personale, i kujton prokurorëve dhe mbrojtjen që gëzojnë me ligj sinjalizuesit, ose të whistleblower-ve.
“Unë mendoj se çdo qytetar i Shqipërisë do të donte të dinte se kush abuzoi me të dhënat dhe jo kush ishte sinjalizuesi i Lapsit, apo ai që dha informacionit. Këtu duhet sqaruar diçka që termi whistleblower ose sinjalizuesit, përkufizon një person i cili kur është në dijeni se tek institucioni ku ai punon po ndodh një gjë e dëmshme për publikun ai vendos t’ia tregojë mediave. Ky person është i mbrojtur me ligji. Po i kujtoj prokurorëve se ky person nuk mund të hiqet nga puna e as nuk mund të përndiqet apo dhe të identifikohet. Pra janë njerëz që janë brenda institucionit, të cilët nuk bien dakord me shpërdorimet që ndodhin dhe këtë gjë ia tregojnë medias. Nëse drejtësia e re nuk e ka kuptuar atëherë unë mendoj se ne duhet të rifillojmë reformën në drejtësi nga e para me standardet e tjera” – thotë Cukali.
Por për avokatin Matlia prokuroria ka shumë hapsira dhe mekanizma ligjorë për të vijuar hetimet mbi këtë skandal.
“Është e qartë për të gjithë ata që janë profesionistë të ligjit që SPAK ka shumë mundësi, rrugë ligjore, për të hetuar këtë çështje. Madje mënyra që ajo nisi këtë procedim penal ishte shumë e mbrapshtë sepse nuk nis hetimi nga sekuestrimi i materiale të denoncuesit publik të skandalit të përdorimit të të dhënave personale por nga atë që janë denoncuar, e për këtë ne pamë të gjithë se kishte indicie të mjaftueshme për të kuptuar që databaza përmban të thëna të fiksuara në servera shtetërore që vetëm shteti i disponon. Gjithashtu ne pamë që ata që emërtoheshin si “patronazhistë” ishin vërtetë anëtarë të Partisë Socialiste dhe ka dyshime serioze se vërtetë ata janë ngarkuar me këtë detyrë dhe kanë përdorur këtë databazë. Kjo do shihet në vijim, gjithmonë nëse organi “kampion” i reformës në drejtësi nuk dështon njëlloj si ato organet e vjetra, që vuanin presionet e të njëjtit fshat politik si ky që kemi edhe sot” – përfundon Matlia.