Taksapaguesit përballojnë kostot e larta të gjyqeve të humbura nga institucionet publike, në vend të zyrtarëve përgjegjës
Taksapaguesit shqiptarë paguajnë rregullisht për dëmet që i shkaktohen buxhetit të shtetit, në forma nga më të ndryshmet. Një nga këto forma është pagimi i dëmshpërblimeve të vendosura me vendime gjyqësore, nga buxheti i institucioneve gjyqhumbëse. Thuajse të gjithë institucionet paditen në gjykatë nga individë ose kompani tregtare, për të kërkuar dëmshpërblim për zgjidhje të marrëdhënieve të punës, për zgjidhje konfliktesh të marrëdhënieve kontraktore, për dëmtim të pronës private, për dëmtim të shëndetit, etj. Në një masë të madhe institucionet i humbasin këto gjyqe dhe detyrohen të paguajnë shuma të konsiderueshme.
Për ilustrim, këto ditë është publikuar në shtyp një letër e Ministrit të Drejtësisë drejtuar Kryeministrit dhe Presidentit të Republikës, ku ndërmjet të tjerave thekson edhe se dëmi i shkaktuar nga çështjet e humbura nga Avokatura e Shtetit arrin shifrën tepër serioze prej 8.538.960.128 lekë, ose e thënë ndryshe rreth 65 milion Euro. Kjo shifër nuk është asgjë në raport me atë që rrezikon të humbasë Shqipëria në arbitrazh, shumë e cila mund të arrijë 2 miliard Euro[1].
Shembuj të tjerë konkretë janë çështjet gjyqësore të ngritura nga viktimat e shpërthimit të Gërdecit, shteti u dëtyrua të dëmshpërblejë familjarët me disa qindra milionë lekë, kosto e cila iu ngarkua buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes, etj. Njësoj dëmshpërblime me vlera jo të vogëla gjykata i ngarkoi Gardës së Republikës për vrasjet e 21 Janarit.
Shembull tjetër i hasur shpesh në praktikën gjyqësore janë dëmet e shkaktuara të tretëve nga ana e institucioneve publike, për largimet pa të drejtë nga puna, të cilat, njësoj përballohen nga buxheti i shtetit. Në një studim të BIRN[2], vetëm për zgjidhjen e marrëdhënieve të punës në vitin 2015, fatura e dëmshpërblimit ishte 3.1 miliard lekë (gati tre herë më e lartë se dëmi i shkaktuar nga personat e kallëzuar në vitin 2013 nga KLSH).
Edhe pse pas çdo dëmshpërblimi të caktuar qendron veprimtaria e kundërligjshme e një zyrtari të administratës, ky i fundit nuk ngarkohet asnjëherë me përgjegjësinë për pagimin e dëmit të shkaktuar, që buxheti i institucionit të tij ka paguar. Ata që në fund të zinxhirit paguajnë për këto dëme mbeten taksapaguesit, edhe pse nuk kanë pasur dhe nuk ka si të kishin përgjegjësi për shkaktimin e dëmeve.
Organi kushtetues i ngarkuar me ligj për të ruajtur financat publike, Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk duket se e ka në vëmendje këtë aspekt. Në një studim të bërë nga Res Publica (kliko këtu për të shkarkuar raportin), me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, lidhur me aktivitetin e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Prokurorisë në rastet e kallëzimeve penale, ka rezultuar se, gjatë kontrollit të rregullshmërisë financiare, të ushtruar gjatë një vitit 2013, si vit studimor, nga ana e KLSH nuk është marrë asnjë masë për zyrtarët, të cilët kanë qenë përgjegjës për humbjen e gjyqeve. Këto shkelje, edhe pse me efekt financiar të konsiderueshëm, nuk janë pjesë e objektit të kontrollit nga ana e KLSH, të paktën kjo gjë ka rezultuar nga studimi i 138 raporteve të auditimit të bëra gjatë vitit studimor.
Edhe pse ligji (neni 627 i Kodit Civil) parashikon se në këto raste institucioni i dëmtuar (që ka paguar dëmshpërblimin) ka të drejtë t’ia kërkojë këtë shumë zyrtarit fajtor, KLSH nuk ka kërkuar nga institucioni përgjegjës në asnjë rast ngritjen e padisë për rimbursimin e shumave të paguara.
I pyetur për këtë situatë, KLSH nuk referon në asnjë rast nëse ky aspekt është bërë pjesë e kontrollit. Në raportet objekt studimi, në raste sporadike KLSH është mjaftuar me dhënien e disa rekomandimeve që nuk përfshijnë masa konkrete për zhdëmtinin e shumave konkrete nga emra konkretë zyrtarësh, siç veprohet në rast të dëmeve të tjera që ky organ konstaton gjatë kontrolleve. Kjo situtatë është e përhershme për KLSH dhe nuk ka ndryshuar asgjë megjithë ndryshimin e herëpashershëm të kryetarëve të këtij institucioni.
Gjithsesi, KLSH nuk është i vetmi organ që nuk ka vepruar siç duhej në këtë kontekst. Edhe të gjitha institucionet shtetërore kanë mundësi të kërkojnë rikuperimin e shuma të paguara nga buxheti i vet nëpërmjet kërkimit të parave nga punonjësit përgjegjës. Këtë funksion mund ta kryejë edhe Avokatura e Shtetit. Përfitimi do të ishte të paktën në dy aspekte nga e cila vuan sot administrata shtetërore, së pari, ruajtja e financave publike dhe së dyti, rritja e përgjegjshmërisë në ushtrimin e detyrës nga ana e zyrtarëve publikë, të cilët me situatën që është sot me lehtësi shkelin ligjin, se në fund dëmet paguhen nga institucioni dhe jo nga xhepi i tyre.
Për këtë arsye, nëse kërkojmë të bëhet shtet, siç ndodh rëndom ta dëgjojmë këtë togfjalësh, në rradhë të parë duhet të nisë zbatimi i parimit “kush dëmton duhet të paguajë”.
[1] http://www.syri.net/politike/105820/dokumenti-konfidencial-i-md-shqiperia-rrezikon-te-humbase-2-miliarde-euro-ne-arbitrazh/
[2] https://www.reporter.al/pushimet-e-padrejta-nga-puna-3-1-miliarde-leke-fatura-per-2015/