Në vitin 2011, pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë u depozituan paditë e familjarëve të viktimave të shpërthimit të Gërdecit, të cilët kërkuan shpërblimin e dëmit për humbjen e jetës së të afërmve të tyre më 15 Mars 2008. Këto cështje më pas u transferuan në kompetencë të Gjykatës Administrative, pasi kaluan më parë përmes instancave të ndryshme gjyqësore duke përfshirë në disa raste edhe gjykimin për kontroll incidental në Gjykatën Kushtetuese në vitin 2012, gjykimet për kompetencën lëndore në Gjykatën e Lartë në vitin 2014, etj, pa përfshirë këtu disa cështje të veçanta që lidhen me procesin penal janë në shqyrtim në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Të gjitha këto çështje janë ndjekur nga qendra Res Publica me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.
Pas një kalvari të gjatë seancash gjyqësore, është Gjykata Administrative e Apelit ajo që ka nisur të marrë në shqyrtim ankimet e Ministrisë së Mbrojtjes dhe ndërmjarrjes shtetërore MEICO, të cilat pretendojnë se nuk janë përgjegjëse për shpërthimin dhe humbjen e jetës së 26 viktimave dhe qindra të plagosurve. Kjo gjykatë ka marrë tashmë edhe vendimin e parë me anë të të cilit pranoi padinë dhe la në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, e cila ngarkoi me përgjegjësi autoritetet shtetërore, duke e klasifikuar këtë ngjarje si një krim shtetëror.
Në këtë pikënisje të Gjykatës Administrative të Apelit, ajo e gjeti të drejtë kërkesëpadinë e familjarëve të të ndjerit Arben Ase, i cili humbi jetën në ngjarjen e rëndë, dhe vendosi të detyrojë Ministrinë e Mbrojtjes, Ndërmarrjen MEICO dhe shoqërinë ALBADEMIL që të shpërblejnë dëmin e shkaktuar nga shpërthimi i Gërdecit, si pasojë e veprimtarisë së kundraligjshme të tyre. Ky Vendim tashmë është i formës së prerë dhe i ekzekutueshëm.
Kjo është vetëm çështja e parë që përfundon në Gjykatën Administrative të Apelit nga çështjet e ndjekura nga qendra Res Publica, ndërkohë që në pritje janë edhe 36 çështje të tjera, të cilat pritet të kenë të njëjtën ecuri.
Drejtori Ekzekutiv i qendrës Res Publica, Z. Dorian Matlija u shpreh se “Kjo ishte një sipërmarrje e vështirë, në një kohëzgjatje të madhe, që u realizua me këmbëngulje edhe falë mbështetjes së Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, i cili e ka mbështetur i vetëm këtë nismë që në fillim. Tashmë mirëpresim ekzekutimin e këtij vendimi në mënyrë vullnetare dhe pa zvarritje nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes, gjë që do të rriste edhe vlerësimin e publikut për qeverinë.”
Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Z. Andi Dobrushi, duke theksuar fillimisht se kjo është një tjetër histori suksesi e përpjekjeve disavjeçare të shoqërisë civile, u shpreh se: “Ky është një shembull i mirë se si shoqëria civile mund të bëjë të mundur edhe zgjidhje të vështira nëse ka besimin te vetja, qendrueshmërinë dhe mbështetjen e duhur. Ky është lajm i mirë për ato familje që përpos fatkeqësisë, njohën edhe zvarritjen e proceseve gjyqësore për shkak të një sistemi që pengonte aksesin në gjykatë, sidomos përmes aplikimit të taksave dhe kostove të papërballueshme të gjyqeve, në kundërshtim me standardet e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.