Në funksion të ndërtimit të segmentit rrugor në vazhdim të unazës së re, katër familjet Skeja u dëbuan nga banesa e tyre pesëkatëshe pa asnjë njoftim paraprak apo vendim nga Inspektoriati i Mbrotjes së Territorit (IMT) Bashkia Tiranë. Urdhëri u dha nga Inspektoriati Kombëtar i Mbrotjes së Territorit (IKMT). Ndërsa i vetmi njoftim për të prishur banesën 5 katëshe ku ata jetonin u paraqit dy ditë para prishjes, një shkresë pa një numër protokolli, vetëm me një datë dhe dy emra inspektorësh, ku te marrësi i njoftimit shënohet “u la në banesë”.
Sikur të mos mjaftonte kjo, edhe pse emrat e tyre ishin pjesë e listës që do të përfitonin pagesa nga shpronësimi, edhe pas dy vjetësh këtyre familjeve nuk iu akordua asnjëherë kjo shumë. Si rrjedhojë, edhe pse dy vjet pas prishjes së banesës, këto familje jane ende të pastreha dhe sistemohen te të afërm të tyre.
Krahas nisjes së një procesi gjyqësor për shpërblimin e dëmit, i cili po zhvillohet në Gjykatën Administrative, nisur nga veprimet e papërgjegjshme në shkelje të ligjit të zyrtarëve, me përfaqësimin e avokatëve nga qendra “Res Publica” u nis edhe një kallëzim penal kundër punonjësve të IMT, Bashkia Tiranë dhe një ankim përpara Avokatit të Popullit.
Ky i fundit i kërkoi informacion organeve të përfshira (IMT, IKMT, etj), lidhur me vendimin sipas të cilit është prishur banesa e katër familjeve Skeja dhe nëse është akorduar shuma e shpronësimit sipas VKM. Pas katër shkresave për kërkesë informacioni drejtuar IKMT gjatë hetimit të kësaj çështjeje, Avokati i Popullit e vlerësoi alarmant refuzimin e përgjigjes dhe i kujtoi IKMT se refuzimi për të bashkëpunuar dhe informuar Avokatin e Popullit si organ Kushtetues është një praktikë që duhet të ndalojë. Gjithashtu, rekomandoi marrjen e masave disiplinore ndaj përgjëgjesve për mospërmbushjen e detyrimit ligjor të dhënies së informacionit.
Vetëm pasi Avokati i Popullit “i kujtoi” marrjen e masave disiplinore, IKMT u përgjigj me dhënien e informacionit. Nga përgjigjet rezulton se katër familjeve nuk iu është akorduar shuma e shpronësimit për shkak të “ezaurimit të fondit për shpronësimet akorduar Autoritetit Rrugor Shqiptar”. Megjithatë, kjo nuk i ka penguar zyrtarët e lartë, përfshirë ata të IKMT, që në mënyrë abuzive të urdhërojnë lirimin e sheshit të ndërtimit duke prishur banesën e familjeve Skeja.
“Ligji është i qartë: çdo shpronësim ku prishet prona (banesa) pa kaluar më parë vlerën e paracaktuar është i paligjshëm, dhe një shpronësim i paligjshëm i kushton individit që nuk arrin të sigurojë në kohë një pronë tjetër me vlerën e përfituar, por i kushton edhe buxhetit të shtetit i cili në këtë rast do të paguajë edhe dëmin e shkaktuar individit përveç vlerës së shpronësimit”, shprehet avokatja Irena Dule.
Ndërsa prokuroria e pushoi çështjen pa realizuar minimunim e hetimit, Avokati i Popullit e ndoqi me seriozitet çështjen duke na vendosur në dispozicion materiale të cilat janë prova e përgjegjësisë penale të zyrtarëve të përfshirë. Pasi u pushua nga Prokuroria, çështja u ankimua nga avokatët e qendrës “Res Publica”. Shpresojmë dhe besojmë që çështja të kthehet për rihetim dhe se informacioni i dhënë nga Avokati i Popullit të ndihmojnë gjatë rihetimit.
Res Publica