Shkeljet e të drejtave dhe lirive të njeriut, të cilat do të motivonin dhe kërkesën e parë depozituar në Strasburg nga shtetas shqiptarë kundër shtetit të tyre i referohen vitit 1992. Kërkesa pranohej nga Strasburgu në vitin 2000, pas sorollatjeve disavjeçare të ankuesve në strukturat shtetërore vendase, duke shpallur në 2004, përgjegjësinë e shtetit për mospagimin e borxhit ndaj ankuesve shqiptarë. Strasburgu hodhi poshtë justifikimin e shtetit shqiptar borxhli për shkak të “rrethanave objektive, si mungesa e fondeve, paqartësi në fushat e kompetencës dhe trazirat sociale, legjislative dhe politike në Shqipëri”. Në fakt Strasburgu u shpreh se “Autoritetet shtetërore nuk mund të përmendin mungesën e fondeve si justifikim për të mos respektuar një detyrim financiar që vjen nga një vendim gjyqësor”.
Çështja Qufaj kundër Shqipërisë do të përfaqësonte vetëm precedentin e parë të kërkesave të shumta të shtetasve drejtuar Strasburgut kundër Shqipërisë, të finalizuara kryesisht në përgjegjësinë në ngarkim të shtetit. Strasburgu vendoste në këtë mënyrë një sërë standardesh ligjorë që duhej të udhëhiqnin veprimtarinë e institucioneve shtetërore shqiptare, ndër të cilat spikasin parimet përcaktuese të shtetit të së drejtës, duke përfshirë parimin e procesit të rregullt ligjor, të drejtësisë së dhënë në afat, etj.
Sa më sipër, përbën premisën e domosdoshme për trajtimin e deklaratës së fundit të Kuvendit shqiptar mbi shkurtimin e buxhetit të vet (arkitekt i të cilit është vetë Kuvendi) dhe pamundësinë e Kuvendit për të shlyer borxhet që u detyrohet ish – të punësuarve të tij, të larguar paligjshmërisht nga vendet e punës. Çështjet në fjalë duket se janë fituar masivisht në të gjitha shkallët e gjyqësorit vendas. Disa prej tyre i referohen ende vitit 2006, menjëherë pas rotacionit të pushtetit politik, nën premtimin entuziast elektoral të rivendosjes së standardeve të shtetit ligjor. E megjithatë, pas dy mandatesh të plota legjislative, Kuvendi, vendos të rreshtohet krahas të tjerave institucione shtetërore që u detyrohen financiarisht ish – të punësuarve të pushuar paligjshmërisht nga puna.
Më kot kanë shkuar përpjekjet normative në këtë drejtim, duke filluar nga Kushtetuta e 1998 dhe garancitë që ajo sanksionon për të drejtat dhe liritë, ndër të cilat e drejta për të punuar, e deri të legjislacioni përkatës i miratuar, por varfërisht ose aspak i implementuar. Më kot ka shkuar e gjithë panorama jurisprudenciale e Gjykatës Kushtetuese dhe e Gjykatës së Lartë. Më kot raportimet e rregullta nga institucionet e pavarura si Avokati i Popullit, apo Komisioni i Shërbimit Civil përpara vetë Kuvendit, duke evidentuar një sërë shkeljesh në këtë kuptim, që Kuvendi të adresojë problemet e ngritura nëpërmjet mjeteve që ka në dispozicion, ndër të cilat miratimin e ligjeve e rezolutave. Më kot edhe vetë raportet e rekomandimet e BE-së, në orientimin dhe ndërgjegjësimin e organeve shtetërore, i pari ndër të cilët vetë Kuvendi, mbi mungesën e vazhdueshme të zbatueshmërisë së legjislacionit, mosekzekutimin e vendimeve gjyqësore mbi çështje civile ku pala humbëse është vetë shteti, ngadalësinë e reformës së sistemit përmbarimor dhe hyrjen në fuqi të sistemit privat krahas atij publik, siç rezulton edhe në raportin e fundit të tetorit 2012, mbi të cilin u festua nga i njëjti Kuvend me buxhet të shkurtuar nga ai vetë.
Sepse Kuvendi i sotëm, në mbyllje të dy mandateve të plota, ka zgjedhur tashmë rrugën e daljes me borxhe e jo vetëm financiare, nga skena. I asistuar nga një sërë institucionesh garancie, gjyqësore, këshillimore, rekomanduese, si dhe orientime të drejtimit politik nga axhenda europiane e integrimit, ia ka dalë më së miri të përmbyllë rrethin vicioz të paligjshmërive të rregjistruara në vite, duke kryesuar listën e institucioneve shtetërore në borxhin e rradhës ndaj shtetasve të vet, duke shënuar kësisoj kthimin në vitin zero të të dëshiruarës demokraci shqiptare.
Y. Lamce